Secondary Adv

90 për qind e rekomandimeve të KLSH për pajisjet mjekësore në spitalet e Tiranës nuk u zbatuan

Vetëm 2 nga 20 rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për përmirësimin e menaxhimit të pajisjeve mjekësore në sistemin spitalor publik janë zbatuar.

KLSH e cilëson nivelin e zbatimit “shumë të ulët”, ndërsa 18 masa, ose 90 për qind e totalit, mbeten të parealizuara.


Rezultatet dalin nga auditimi për ndjekjen e rekomandimeve të lëna në vitin 2024 në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Qendrën Kombëtare Teknike Bio-Mjekësore, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalin Universitar të Traumës dhe Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”. Të 20 rekomandimet ishin pranuar nga institucionet, por kontrolli i zhvilluar në fund të vitit 2025 dhe fillim të vitit 2026 tregoi se vetëm një pjesë e vogël e tyre ishte zbatuar.


Situata paraqitet edhe më problematike për masat organizative. Nga 17 rekomandime të kësaj kategorie, vetëm një është zbatuar, ndërsa 16 të tjera, ose 94 për qind, mbeten të pazbatuara. Për ndryshimet dhe përmirësimet ligjore ishin dhënë tri rekomandime, nga të cilat një është zbatuar dhe dy të tjera, ose 67 për qind, nuk janë realizuar. Sipas KLSH-së, ky rezultat tregon mungesë angazhimi nga institucionet përgjegjëse për marrjen e masave të kërkuara.


Problematikat e pazgjidhura prekin hallka bazë të administrimit të teknologjisë mjekësore. KLSH konstaton se strukturat biomjekësore në QSUT, Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe Spitalin Universitar të Traumës nuk kishin një regjistër ku të dokumentohej i gjithë historiku i pajisjeve, që nga vendosja në punë dhe gjatë gjithë periudhës së përdorimit. Për këtë arsye është rikërkuar hartimi i një formati të unifikuar dhe ngritja e regjistrave në të gjithë sistemin spitalor publik, me afat deri më 30 shtator 2026.



Mangësi janë evidentuar edhe në mbikëqyrjen e pajisjeve. QSUT, Spitali Universitar i Traumës dhe Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” nuk kishin ushtruar kontrolle të brendshme mbi mënyrën e administrimit dhe menaxhimit të tyre. KLSH kishte rekomanduar që Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të kryente inspektime dhe që spitalet të përcaktonin mënyrën dhe periodicitetin e kontrolleve të brendshme, por në auditimin e ndjekjes kjo masë rezultoi e pazbatuar.


Një peshë të konsiderueshme financiare kanë edhe kontratat e mirëmbajtjes. Për tri spitalet universitare të audituara, vlera e kontratave “full risk” për mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore arriti në 724.1 milionë lekë gjatë periudhës 2021–2023. Megjithatë, sipas KLSH-së, kapacitetet teknike të spitaleve nuk i përgjigjen numrit të lartë të pajisjeve që ato administrojnë.


Në të njëjtën kohë, QSUT, Spitali Universitar i Traumës dhe Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” nuk kishin kryer vlerësime sistematike për vjetërsinë teknologjike të pajisjeve, statusin “end of life” apo “end of support”, si dhe analiza kosto-përfitim për të përcaktuar nëse mirëmbajtja e pajisjeve të vjetra ishte ekonomikisht më e leverdishme sesa zëvendësimi i tyre.


KLSH thekson se në raste të caktuara kostot e mirëmbajtjes mund të tejkalojnë edhe koston e blerjes së një pajisjeje të re. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë nuk kishte zhvilluar një proces sistematik për vlerësimin e teknologjisë mjekësore në sistemin publik.


Pas auditimit, KLSH ka përcaktuar afate të reja për një pjesë të masave të pambyllura. Deri më 30 shtator 2026, Ministria dhe institucionet shëndetësore duhet, ndër të tjera, të krijojnë regjistrin e unifikuar të pajisjeve, të rishikojnë praktikat e mirëmbajtjes dhe të forcojnë kapacitetet teknike.


Në përfundim, nga 20 rekomandime të pranuara nga institucionet për një sektor të lidhur drejtpërdrejt me diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve, vetëm 10 për qind rezultojnë të zbatuara, ndërsa 90 për qind mbeten ende të parealizuara.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat